Rreth meje
Jam psikologe klinike dhe punoj me të rritur që duan ta kuptojnë më mirë veten, marrëdhëniet e tyre dhe modelet që vazhdojnë të shfaqen në jetën e tyre.
Mund ta dini se diçka nuk shkon, pa qenë në gjendje të shpjegoni saktësisht pse. Ndoshta e keni të vështirë të vendosni kufij, i bëni presion të madh vetes ose vëreni se të njëjtat modele shfaqen vazhdimisht në marrëdhëniet tuaja.
Në terapi nuk fokusohemi vetëm te zhdukja e këtyre ndjenjave. Përpiqemi të kuptojmë çfarë fshihet pas tyre, nga vijnë modele të caktuara, me çfarë rolin kanë pasur dikur dhe nëse ju shërbejnë ende sot.
Për mua, terapia ka të bëjë me njohjen më të thellë të vetes dhe me përdorimin e kësaj njohjeje për të krijuar ndryshim domethënës.
Rruga ime në psikologji më ka çuar në vende dhe mjedise klinike të ndryshme. Studimet në psikologji i nisa në Kosovë dhe më vonë i vazhdova në Universitetin Eötvös Loránd (ELTE) në Budapest, ku përfundova masterin në Psikologji Klinike dhe Shëndetësi.
Krahas formimit akademik, fitova përvojë në shëndetin mendor klinik, në fushën e varësive dhe në vlerësimin psikologjik.
Trajnimet e mia të mëtejshme përfshijnë Terapinë Kognitive të Sjelljes (CBT), Terapinë Dialektike të Sjelljes (DBT), Terapinë e Skemave dhe vlerësimin psikologjik. Aktualisht po vazhdoj trajnimin në Terapinë Longitudinale për Traumë.
Vazhdoj ta zhvilloj punën time përmes trajnimeve të vazhdueshme, hulumtimit, supervizionit dhe praktikës klinike.

Puna ime si psikologe më ka çuar në fusha të ndryshme të shëndetit mendor, nga parandalimi i vetëvrasjeve dhe praktika klinike deri te vlerësimi psikologjik, hulumtimi dhe puna me persona me dhunti e talente.
Kjo kureshtje më ka shoqëruar gjatë gjithë punës sime. Më intereson jo vetëm çfarë po përjeton dikush, por edhe pse përsëriten modele të caktuara, pse reagojmë ndaj situatave ashtu siç reagojmë dhe si përvojat tona formësojnë mënyrën si lidhemi me veten dhe me të tjerët.
Një pjesë e rëndësishme e punës sime ka qenë edhe me persona me inteligjencë të jashtëzakonshme përmes vlerësimit psikologjik, ashtu edhe përmes terapisë. Kjo më ka dhënë një kuptim më të thellë të përvojave që mund ta shoqërojnë keta persona nga perfeksionizmi dhe pritshmëritë e larta deri te intensiteti emocional, marrëdhëniet, identiteti dhe ndjesia se je ndryshe ose se nuk të kuptojnë.
Puna në vende dhe kultura të ndryshme më ka bërë veçanërisht të vetëdijshme se si familja, kultura, migrimi, identiteti dhe përkatësia mund të bëhen pjesë e përvojës sonë psikologjike.
Në të gjitha këto fusha të punës sime, një ide vazhdon të më udhëheqë: ndryshimi domethënës shpesh fillon me të kuptuarit.

Kualifikimet & trajnimet
MA Psikologji Klinike dhe Shëndetësi
Universiteti Eötvös Loránd, Budapest
BA Psikologji
Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina
Terapi Longitudinale për Traumë
Diakonia Kosovo (në vazhdim)
Vlerësim i Inteligjencës dhe i Aftësive Kognitive
Instituti ATOMI, Prishtinë
Rrugëtimi profesional
Nisi të udhëheqë punëtori për shëndetin mendor me Mind to Mind, Prishtinë
Zëvendësdrejtoreshë në Qendrën për Informim dhe Përmirësim Shoqëror, Prishtinë
Menaxhere projekti për projektin e parandalimit të vetëvrasjeve Linja e Jetës, Prishtinë
Koordinatore hulumtimesh në Qendrën për Shëndet Global dhe menaxhere projekti në Institutin e Psikologjisë, Prishtinë
Psikologe në Empatia dhe mësimdhënëse e psikologjisë në Euroschool, Pejë
Praktikë në këshillim për varësi në Drog Stop dhe IPCO, Budapest
Praktikë e specializuar në vlerësim dhe terapi psikiatrike në Szent János Kórház, Budapest
Psikologe dhe koordinatore aktivitetesh në Institutin ATOMI, Prishtinë
Psikologe për EGMO 2025 dhe mbështetje online për shëndetin mendor në Mendje Platformë
Ofroj një konsultë fillestare për të parë së bashku çfarë lloj mbështetjeje mund t'ju përshtatet.